Brad Pitt dhe Anthony Hopkins me smoking në një skenë nga filmi Meet Joe Black

E dua filmin „Meet Joe Black“ dhe po të më duhej të zgjidhja një film të preferuar, do të ishte ai.

Historia është thjesht e mrekullueshme. Një njeriu të urtë e të suksesshëm — William Parrish (Anthony Hopkins) — i vjen fundi, por Vdekja i jep një shans të rrijë gjallë edhe disa ditë dhe të jetë i vetëdijshëm. E vetmja gjë që Vdekja kërkon në këmbim është që ai ta ndihmojë versionin e saj tokësor, të mishëruar përkohësisht (Brad Pitt), që ajo të mësojë më shumë për jetën.

Nuk do të futem më thellë në film, se asnjë teaser nuk ia vlen përballë kënaqësisë që të pret 🙌

Por në jetën reale ne mund të mos jemi të pasur, të shëndetshëm e të vetëdijshëm, sidomos në ditët tona të fundit, kur mysafiri i paftuar vjen të na vizitojë.
Është thjesht një çast kur e dimë se koha jonë ka kaluar.

Prandaj është koha t’i shfrytëzojmë kohët e mira për t’u përgatitur për kohët e këqija.
Është koha ta përgatisim aktin e fundit e të mbramë të rebelimit në këtë jetë :)

Dita pasi erdhi mysafiri i paftuar….

Kjo ditë do të vijë. Kaq e thjeshtë është. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta përqafojmë çastin e ikjes dhe të përgatitemi për të, e ndoshta edhe për ditët pas tij :)

Anthony Hopkins pranë citatit të tij se askush s'del i gjallë nga kjo jetë

Kam menduar shumë thellë për varrimin tim dhe për mënyrën se si dua ta lë këtë përvojë të mrekullueshme.

Kam pasur rastin të marr pjesë në disa varrime dhe thjesht nuk mësohem dot me to. Është thjesht e trishtueshme. E di që të gjithë janë në dhimbje, atë dhimbje e ndiej edhe vetë, dhe pikërisht prandaj u shmangem sa të mundem.

Por a dua që dita ime e fundit të jetë diçka e tillë? A dua që njerëzit të më kujtojnë ashtu në ditën time të fundit? A e dua gjithë këtë trishtim pas një jete kaq të mrekullueshme?

Jo, s’është stili im 😏

Në varrimin tim nuk dua që njerëzit të qajnë. Nuk dua varrim të trishtë, nuk dua që dita ime e fundit të kujtohet ashtu.

Dua një shfaqje me muzikë (kjo duhet të jetë kënga e parë), me ushqim e pije, me skenë dhe me një publik bombë, të jashtëzakonshëm fare. Dua që aty të jenë miqtë e familja, të ndajnë histori, përvoja dhe momente që i jetuam bashkë.

Nuk dua që njerëzit të trishtohen, sepse unë e jetova jetën si në ëndërr.
Dua të qeshin dhe ta përdorin atë ditë për të ma hapur portalin drejt jetës tjetër me dashuri, të qeshura e dhembshuri. Qeshni, motherflowers 🤣🤣

Burrë me kostum duke qeshur me gjithë shpirt, meme-ja e njohur nga Goodfellas

Dua të më kujtojnë që u përpoqa sa munda dhe bëra gabime — disa i ndreqa, disa të reja i bëra — por bëra edhe ndonjë të mirë aty-këtu.

Fisi im duhet të kujdeset për fëmijët e mi dhe t’ua japë atë dashurinë e ashpër që u duhet, që të bëhen të fortë e të pavarur dhe t’i bien vetë në fije kësaj jete.

Në fund të fundit, dua që miqtë dhe familja ime (ju e dini kush jeni) të bëjnë një udhëtim të fundit bashkë me mua. Një ritual lamtumire me dashuri.

Gruas sime, shpirtit tim binjak: ti ishe gjëja më e mirë që kam pasur ndonjëherë. Dhe ti e di se unë kam dashur vetëm që ti të jetosh plotësisht. Prandaj mos e harxho kohën me zi, po jetoje jetën. Gjeje dashurinë sërish dhe shijoje çdo ditë që ke.

Busti i Senekës në sfond yjor, me citatin se jeton keq ai që s'di të vdesë mirë

…. fundi i draftit të parë

PS:

Vdekja s’është asgjë fare

Vdekja s’është asgjë fare.
Unë veç kam kaluar në dhomën tjetër.
Unë jam unë dhe ti je ti.
Çfarëdo që ishim për njëri-tjetrin,
po ajo jemi edhe tani.

Më thirr me emrin tim të vjetër e të njohur.
Më fol ashtu lehtë e natyrshëm
siç më ke folur gjithmonë.
Mos e ndrysho aspak tonin tënd.
Mos merr pamje të sforcuar solemniteti a pikëllimi.

Qesh siç kemi qeshur gjithmonë
me shakatë e vogla që i shijonim bashkë.
Luaj, buzëqesh, më mendo. Lutu për mua.
Le të mbetet emri im fjala e përditshme e shtëpisë
siç ka qenë gjithmonë.
Le të shqiptohet pa asnjë sforcim.
Pa gjurmën e asnjë hijeje mbi të.

Jeta ka po atë kuptim që ka pasur gjithmonë.
Është po ajo që ka qenë përherë.
Ka një vazhdimësi absolute, të pandërprerë.
Pse duhet të jem larg zemrës
vetëm pse jam larg syve?

Unë veç po të pres.
Për një grimë kohe.
Diku. Fare afër.
Mu pas qoshes.

Gjithçka është mirë.
Asgjë s’është lënduar; asgjë s’ka humbur.
Një çast i shkurtër dhe gjithçka do të jetë si më parë.
Sa do të qeshim me mundimin e ndarjes kur të takohemi sërish!