I dashur Marin

Edhe një vit kaloi, dhe unë mahnitem me ty më shumë se kurrë më parë. Je bërë një tornado kokëfortë dhe plot gëzim, me një mendje krejtësisht tënden! Qysh tash më merr malli për ditët kur ishe fare i vogël, ato ditë kur mezi ecje e mezi flisje.

E kam mallkuar qiellin me inat, i frustruar që s’mund t’i jetoj ato ditë me ty dy herë. Tani që di shumë më tepër, do të bëja shumë më tepër — do të të doja edhe më shumë, dhe do ta çmoja çdo moment edhe më shumë!

Ndërsa mbytem në vetëkeqardhje, duke dashur t’i rijetoj vitet tona të kaluara, e kuptoj se zemra ime është plot kujtime dhe po vlon nga dashuria për ty. Jo vetëm sot, por që nga momenti i parë. Kaq shumë kujtime, kaq shumë të qeshura, kaq shumë fjalë të thëna, puthje të panumërta, përqafime pa fund, lojëra pa numër, dhe “të dua” pa hesap.

Më mbushen sytë me lot teksa po ta shkruaj këtë letër. Kam bërë një premtim për ne të dy: do të të shkruaj një letër çdo vit, një ritual për ditëlindjen tënde:
Një letër nga Babai yt!

Një letër për fëmijën tim, për të ardhmen — rëndësinë, kuptimin dhe mesazhin e saj do t’i kuptosh plotësisht vetëm shumë më vonë në jetë.

Dua ta nis këtë letër duke ndarë me ty një nga historitë tona më të thella — atë që ndryshoi gjithçka, përgjithmonë.

Kur ti vendose të bashkohesh me ne në këtë botë, unë po lëvizja nëpër jetë pa vetëdije, pothuajse në autopilot. Kishte një çarje të vogël në vetëdijen time, një ndryshim të vockël që veç sa e kishte gërvishtur sipërfaqen. Por edhe atëherë, unë po punoja me veten — duke mësuar, duke luftuar, duke kërkuar diçka më shumë.

Ditën kur erdhe — ditëlindja jote para pesë vitesh — isha një përzierje lumturie, stresi dhe konfuzioni (një emocion që do ta kuptosh shumë më vonë në jetë :)). Të kam dashur që nga momenti i parë kur të mendova, edhe pa të njohur fare. Por kur më në fund të pashë, nuk dija çfarë të bëja e as si të të doja. Tani e kujtoj atë ditë me buzëqeshje, duke e ditur se ti më nise në rrugëtimin tim për ta zbuluar dashurinë e pakushtëzuar.

Ta çojmë filmin përpara te maji i vitit 2021, gjatë pandemisë së Coronës. Pasi u shërove nga virusi (ishe ndër të parët që e pate në Kosovë), vendosa ta përjetoj Ayahuascën për herë të parë në jetën time. Nuk kisha asnjë ide se çfarë ishte apo çfarë do të më ndodhte. Ende po përpiqesha të lidhesha me ty dhe ta ndërtoja atë raport babë e bir për të cilin përpiqet çdo baba i madh. Po kërkoja diçka — diçka që as nuk dija ta emërtoja, edhe pse mbase e kisha mu para syve. Por po përpiqesha. Këtë do ta mësosh për babanë tënd: unë gjithmonë punoj fort, ashtu si ti, plot energji dhe gjithmonë gati të shkoj edhe më tej.

Në fund të asaj ceremonie të parë të Ayahuascës, në malet e Zvicrës, kur mendja m’u hap, kur fillova të shoh, të kuptoj, kur u bëra i vetëdijshëm dhe u ndjeva real për herë të parë në jetën time — ti erdhe tek unë. Më përqafove, më mbajte të sigurt, ma ruajte mendjen, dhe u sigurove që gjithçka ishte dhe do të ishte në rregull.

Atë natë e kuptova se lumi i jetës e mban të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen, dhe se ti je po aq baba për mua sa unë jam bir për ty. Unë jam këtu të të drejtoj nëpër jetë po aq sa ti je këtu të më drejtosh mua. Ti më ndihmon të kujtoj atë që jeta më ka bërë ta harroj, dhe unë të mësoj ta rikujtosh atë që shpirti yt zgjodhi ta harrojë. Ti e shëron fëmijën tim të brendshëm, ndërsa unë të ndihmoj të rritesh burrë.

Dikur lexova se kur fëmija yt të thërret për të luajtur, është vetë Zoti, i shfaqur përmes fëmijës tënd, që po të fton. Esenca më e pastër e jetës të shfaqet mu para syve. Shpesh i përgjigjem asaj ftese, edhe pse jo aq shpesh sa duhet. Por e kam kuptuar se unë jam vetëm një pjesë e jetës sate, ashtu si ti je një pjesë e imes. E njëjta vlen për nënën tënde dhe vëllain tënd (që është ende në barkun e nënës teksa i shkruaj këto rreshta dhe së shpejti do të të bashkohet në jetë). Ne jemi këtu për ta pasuruar jetën tënde, por jo për të qenë qendra e universit tënd.

Para disa netësh erdhe tek unë dhe më pyete: “Babi, pse punon kaq shumë?” Të thashë: “Që të kemi më shumë kohë bashkë.” Ti buzëqeshe dhe shkove të flije :)

Dje, duke luajtur, s’po mundnim ta përfundonim një level, kështu që të thashë: “Hajde ta shohim kush arrin i pari në fund,” dhe ti m’u përgjigje: “Ta përfundojmë bashkë!”

Kam kaq shumë shpresa dhe ëndrra për ty, kaq shumë ide dhe mundësi, por shpesh më mungojnë koha dhe energjia. Por po punoj në këtë drejtim, dhe kam bërë përmirësime të mëdha, sidomos vitin e fundit. Po marr vendime strategjike për të ardhmen tënde dhe po gjej mënyra për ta mbështetur zhvillimin dhe argëtimin tënd. Gjithmonë ka më shumë që mund të bëj, dhe gjithmonë ka vend për më shumë, por jam krenar për kohën që kalojmë bashkë dhe gjërat që i mësojmë bashkë.

Nëna jote dhe unë po ta drejtojmë me vetëdije energjinë dhe fokusin drejt gjërave që do të kenë rëndësi në afat të gjatë: mësimi i anglishtes, matematika, coding-u, shkrimi, leximi, teknologjia dhe gaming-u (për strategji, zgjidhje problemesh dhe koordinim). Po ta hapim edhe derën e artit, përmes pianos dhe pikturës. Shpresoj që vitin e ardhshëm t’ia shtojmë edhe Jiu-Jitsu-n kësaj liste.

Le të mbetet e shkruar: ti tashmë e luan “Rayman” në PS5 po aq mirë sa unë. Kjo është e pabesueshme, por edhe më kujton se energjia dhe mendja jote mund të rriten pa masë në çdo drejtim.

Kam mësuar se nëse e do dikë, ndërveprimi i përditshëm është thelbësor që raporti të rritet në mënyrë eksponenciale. Prandaj po fillojmë që tani, duke shtuar sa më shumë dimensione e tema, që gjithmonë ta gjejmë rrugën drejt njëri-tjetrit!

Mund të mos jem gjithmonë pranë teje që t’i luftojmë të gjitha betejat e tua bashkë, por do të sigurohem të të rris burrë të fortë e me vetëbesim, që i fiton të gjitha.

Dhurata jote më e madhe këtë vit janë padyshim Driti dhe Lioni. Që nga fillimi i këtij viti, shumicën e ditëve i keni kaluar bashkë, nga kopshti deri natën vonë. Tre Luanë — Marini, Lioni dhe Driti — shokët më të mirë, në kuptimin e plotë të fjalës, që nga dita e parë — gati ta përqafojnë jetën me gjithë qenien.

Shpresoj të mbetemi të afërt dhe të jemi pjesë e jetës së njëri-tjetrit sa më shumë që të jetë e mundur. Numri i raporteve të mëdha e të thella që ke është i lidhur drejtpërdrejt me gjasat e tua për ta gjetur lirinë. Por raporti më i rëndësishëm është ai që ke me veten. Ji besnik, merr përgjegjësi, mos u mbush me hidhërim, argëtohu dhe kurrë mos e luaj viktimën.

Dua ta mbyll këtë letër me fjalët e psikologut të madh Viktor Frankl:

Liria, megjithatë, nuk është fjala e fundit. Liria është vetëm një pjesë e historisë dhe gjysma e së vërtetës. Liria s’është veçse aspekti negativ i një fenomeni të tërë, aspekti pozitiv i të cilit është përgjegjësia. Në fakt, liria rrezikon të degjenerojë në arbitraritet të pastër, nëse nuk jetohet me përgjegjësi.

Me dashuri, Babi ❤
Prishtinë, 17 gusht 2024

Babë e bir të përqafuar pranë një tabele të pikturuar për Ditën e Babait