
Kohët e fundit i bleva vetes një PlayStation 5 :)
S’duket ndonjë punë e madhe, por për mua ishte. Edhe pse në zyrë luanim shumë Fifa, të bleja një për në shtëpi ishte diçka që ia kisha mohuar vetes. Arsyeja? Mendoja se do të më merrte shumë kohë nga gjërat më të rëndësishme, nga koha cilësore.
Por ndërkohë e kuptova se pa qejf dhe pa emocion, asgjë nuk ia vlen. Kështu që, për ta futur veten me hile në zonën gri, e kërkova si dhuratë!
Kështu ndodhën dy gjëra: 1. U futa në të për disa ditë dhe vërtet kaloja 1–2 orë çdo natë duke luajtur. Me kohën gjithnjë e më pak, por si me shumë gjëra në jetë, e kuptova se të luash vetëm, s’ka lezet.
2. Fillova të kaloj shumë më tepër kohë me vëllezërit e mi, se mblidheshim të luanim Fifa dhe e sfidonim njëri-tjetrin me ca baste të çmendura, gjë që e bëri të vlente çdo cent! Edhe më shumë kohë cilësore fitova. :)
Edhe një herë: investo në atë që të bën të lumtur dhe shumëfishoje me njerëzit që i do.
Por s’është kjo poenta që dua ta ndaj me këtë shkrim.
Një nga lojërat e para që bleva ishte “The Witcher 3”, sepse seriali në Netflix më kishte pëlqyer shumë. Ende pres t’i mbaroj librat e “The Dune”, që pastaj të zhytem te librat e “The Witcher”.

Në këtë lojë merr rolin e “Geralt of Rivia — The Witcher” dhe eksploron “Kontinentin” gjatë gjithë gameplay-it.
Meqë kjo është një RPG klasike (Role Play Game), duhet ta ndërtosh personazhin tënd, të kryesh quest-e dhe të luftosh gjithandej.
Pjesa interesante këtu janë quest-et:
Fillojnë me ca side quest-e të pafundme — të gjesh një mace të humbur ose një tigan të vjetër për ndonjë plakë, sa për të mbledhur eksperiencë e para — e deri te main quest-et, që e përmbushin gameplay-in tënd dhe ku i vret përbindëshat.
Dhe në një moment, pas disa orësh në lojë, e gjeta veten në një fshat të vjetër, duke kaluar nga një side quest te tjetri. E gjitha kjo për të qenë më i përgatitur dhe për të marrë pajisje më të mira, para se t’i futem main quest-it: Vrasja e Dragoit!
E çmendura ishte se sa më shumë kohë kaloja me side quest-e, aq më shumë kohë kaloja me side quest-e.
Dhe me çdo side quest të kryer, vetëbesimi më binte edhe më poshtë. Po i shmangesha Dragoit, sepse doja perfeksion. Dhe duke bërë kështu, Dragoi bëhej gjithnjë e më i madh në kokën time. Dhe me çdo side quest, dëshira për t’u përballur me Dragoin më zbehej edhe më shumë.
Loja u bë e mërzitshme dhe e humba interesimin shumë shpejt.
Në një moment më goditi: kisha humbur lidhjen me realitetin brenda një Loje.
Kisha krijuar një univers paralel, ku kërkoja perfeksion vetëm që të mos humbja kohë e progres, gjë që më bëri ta humbas emocionin dhe qejfin. Një lojë me shumë negative.
Në fund, nuk ia vlente më as ta luftoja Dragoin e mutit, sepse cikli i perfeksionit s’mbaron kurrë.
Me çdo sfidë që s’i dalim përballë, e lëmë frikën të na hyjë brenda. Problemi që e injoron ushqehet me frikën tënde dhe rritet — kjo sjell edhe më shumë frikë, dhe ai bëhet edhe më i madh.
Dhe kjo ndodh edhe në jetë. Është një Paradoks, një cikël pa fund në ndjekje të perfeksionit.
E çmendura është se në jetën reale nuk jam ashtu. Kur vjen puna për të vepruar me të madhe, unë jam ai që duhet ta thërrasësh. Jam shumë hands-on dhe pragmatik: u dal përballë sfidave dhe e marr reality check-un sa më shpejt që mundem, që të përmirësohem përmes iteracioneve. Vepro, Feedback, Përmirëso.
Por këtu jo. Ky version i imi — a isha vërtet unë? A veproj kështu edhe në sfera të tjera të jetës? A e kam çuar në majë veten profesionale dhe i kam lënë pas dore pjesët e tjera?

Kështu që u përballa me Dragoin e mutit, që doli se s’ishte fare i vështirë. As që e meritonte gjithë atë mendje. Ndoshta sepse isha më i përgatitur, ndoshta sepse s’kishte qenë kurrë ndonjë punë e madhe. Por një gjë e di me siguri: mund ta kisha bërë shumë më herët dhe do të isha argëtuar shumë më tepër.
Mendoj se momentum-i është një nga gjërat më vendimtare që kemi në jetë, por ai ndërtohet vetëm me fokus.
Mbaji sytë te Dragoi, mos u mashtro nga side quest-et dhe dije gjithmonë pse po e bën atë që po e bën.
Tani, kur nganjëherë humbemi nëpër tema anësore në mbledhje, gjithmonë ua kujtoj: “Mbaji sytë te Dragoi” — se për këtë jemi sot këtu.
Le t’i mbarojmë gjërat e rëndësishme dhe pastaj t’u biem pas të gjitha të tjerave. Fokusi dhe momentum-i janë një nga dyshet më të fuqishme që kemi në jetë.